Shkrime/Vajzat shqiptare po përdhunohen çdo ditë!


Nga Refxhei Tola (Drejtuese Fondacioni "Mbrojme Gruan"

Po, vajzat shqiptare po përdhunohen çdo ditë. Dhe jo nga një dy tre persona, por nga një sistem i tërë. Nga një sistem skandaloz që stë jep as siguri, as forcë e as besim për të luftuar me çdo fyerje që të shkel dhe të lëndon, e aq më pak nuk të jep as mundësinë për të mbrojtur dinjitetin tënd.

Rasti i 13 vjeçares në Kavajë është ngjarja më tronditëse e vitit për të gjithë shqiptarët, absolutisht pa asnjë përjashtim! Mënyra se si kjo histori nisi, frika për ta denoncuar në polici, mënyra monstruoze se si u mbajt e fshehtë dhe mbi të gjitha mënyra se si u publikua në faqen e ish-kryeministrit Berisha, tregon shumë për kaosin që po ndodh në këtë vend. Duket se pasojat e mungesës së organizimit të shtetit po kalojnë përtej lakmisë dhe ambicies për pushtet, ata po marrin jetë…

Unë jam kurioze të di se, kur të mbyllet kjo histori, pra kur media të mos shkruajë më për 13 vjeçaren e lënduar dhe kur politika të gjejë “kauza” të tjera për të bërë shoë, cfarë do të ndodhë me atë vajzë? Por edhe nëse ajo do ta kalojë këtë gjendje dhe do të nisë një jetë të re, cdo të ndodhë me mijëra historitë e tjera që nuk u publikuan kurrë në faqen e doktor Berishës, e aq më pak të denoncohen në polici? Sa vajza shqiptare vuajnë martesa të detyruara ku përdhunohen cdo natë? Sa vajza shqiptare vuajnë marrëdhënie që i konsumojnë nga ana njerëzore dhe jo vetëm?

Ndoshta shumë njerëz mendojnë ndryshe nga unë, mendojnë se kjo histori intime adoleshentësh nuk ka lidhje me shtetin dhe organizimin e tij, por nuk e di pse besoj fort se kjo ngjarje është thjesht pasoja e një situate kriminale shumëvjeçare.

Comments