Çfarë është martesa?
Martesa është bashkëjetesa ligjore, e cila mbështetet në barazinë morale dhe juridike të bashkëshortëve, në ndjenjën e dashurisë, respektit dhe mirëkuptimit reciprok, si baza të unitetit në familje.
Cilat janë kushtet për lidhjen e martesës?
Martesa lidhet me pëlqim të lirë, përpara nëpunësit të gjendjes civile, mes një burri dhe një gruaje që ka mbushur moshën 18 vjeç. Përjashtimi: Gjykata për shkaqe me rëndësi, mund të lejojë martesën përpara arritjes së kësaj moshe. Kërkesa për autorizimin e lidhjes së martesës, bëhet nga vetë i mituri. Konstatohet se “shkaqet me rëndësi”, më të ndeshura në praktikën gjyqësore, në bazë të të cilave, i mituri pretendon lidhjen e martesës përpara moshës së lejuar nga ligji janë: shtatzënia, lindja e një fëmije, bashkëjetesa. I mituri që kërkon autorizimin e lidhjes së martesës duhet të provojë ekzistencën e një shkaku me rëndësi që përligj lidhjen e martesës, ashtu dhe ekzistencën e një pjekurie fizike e psikike, të domosdoshme për të kuptuar rëndësinë e martesës dhe për të përmbushur detyrimet që rrjedhin prej saj.
Kontrata martesore
Kontrata martesore bëhet me akt noterial përpara lidhjes së martesës, në prani dhe me pëlqimin e njëkohshëm të dy bashkëshortëve të ardhshëm në mënyrë që të përjashtohen nga bashkësia ligjore në momentin e lidhjes së martesës. Në qoftë se në aktin e martesës tregohet se bashkëshortët nuk kanë lidhur kontratë, ata do të konsiderohen kundrejt të tretëve si të martuar nën regjimin pasuror martesor të bashkësisë ligjore, që parashikon Kodi i Familjes.
Comments
Post a Comment