Pjesa e pare e kodit te familjes sipas ligjit te Republikes se Shqiperise



Martesa, si një bashkëjetesë ligjore, mbështetet në barazinë morale dhe juridike të bashkëshortëve, në ndjenjën e dashurisë, respektit dhe mirëkuptimit reciprok, si baza e unitetit në familje. Martesa dhe familja gëzojnë mbrojtjen e veçantë të shtetit.

Prindërit, organet kompetente dhe gjykatat, në vendimet dhe veprimtarinë e tyre, duhet të kenë si konsideratë parësore interesin më të lartë të fëmijës.

Prindërit kanë detyrë dhe të drejtë të kujdesen për mirërritjen, zhvillimin, mirëqenien, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të lindur nga martesa ose jashtë martese. Shteti dhe shoqëria duhet t’u ofrojnë familjeve mbështetjen e nevojshme për të mbajtur në gjirin e tyre fëmijët, për të parandaluar keqtrajtimin dhe braktisjen e tyre, si dhe për të ruajtur qëndrueshmërinë e familjes.

Fëmijët e lindur jashtë martese kanë të njëjtat të drejta dhe detyra si fëmijët e lindur nga martesa.

Çdo fëmijë, për një zhvillim të plotë dhe harmonik të personalitetit, ka të drejtë të rritet në një mjedis familjar, në një atmosferë gëzimi, dashurie dhe mirëkuptimi.

Në çdo procedurë që i përket të miturit, ai ka të drejtë të dëgjohet, në përputhje me moshën dhe aftësinë e tij për të kuptuar, duke ruajtur të drejtën që i japin dispozitat e veçanta që garantojnë ndërhyrjen dhe dhënien e pëlqimit nga ana e tij. Në rastet kur i mituri kërkon të dëgjohet, kërkesa e tij nuk mund të rrëzohet, veçse për shkaqe të rënda dhe me një vendim tepër të motivuar.

Comments