Të drejtat e njeriut janë universale. Ky është angazhimi për të cilin ato qëndrojnë ose bien. Ato janë të pandashme, nuk mund të tregtohen dhe as kufizohen me statusin e folklorit të thjeshtë politik të botës perëndimore.
Të drejtat e njeriut janë të drejta natyrore – ato janë të patjetërsueshme. Asnjë autoritet shtetëror nuk ka pushtetin për të dhënë ose refuzuar të drejtat e njeriut, por ato kanë thjesht mundësinë për t’i njohur dhe mbrojtur ato. Të drejtat e njeriut nënkuptojnë që shteti i shërben individit dhe jo anasjelltas. Ato zbatohen për çdo njeri, pavarësisht nga mosha, gjinia, përkatësia etnike, kombësia dhe kështu me radhë.
Megjithatë, të drejtat e njeriut nënkuptojnë edhe përgjegjësi. Për shembull, e drejta e një individi për liri duhet të jetë e balancuar me atë të njerëzve pranë tij: sfera ime e lirisë nuk mund të shtrihet në kurriz të të tjerëve. Për shembull, liria e shprehjes nuk përfshin të drejtën për të fyer njerëzit e tjerë. Në disa vende, liria e pronës, duke përfshirë pronësinë mbi fabrikat dhe mjetet e prodhimit, është e kufizuar me ligj për kontrollin e vendimeve të menaxhimit në lidhje me sigurinë e punës të të punësuarve. Problemi i balancimit dhe i kufizimit të të drejtave të njeriut janë një burim i përhershëm i çështjeve gjyqësore që duhet të zgjidhen me vendimmarrje n politike dhe/ose juridiksionin kushtetues. Kjo shpjegon gjithashtu arsyet përse kanë lindur, si të thuash, “marka” të ndryshme të të drejtave të njeriut, në demokracitë në të gjithë botën.
Comments
Post a Comment