“Rëndësia e bamirësisë”, ishte ky qëllimi i një takimi të hapur midis modeles së mirënjohur Emina Cunmulaj, Drejtuesit të “Fundjavë Ndryshe” Arbër Hajdarit dhe dhjetëra vullnetarëve. Një bashkëbisedim për varfërinë në vendin tonë, vullnetarizmin dhe ndryshimin e mijëra jetëve në të gjithë Shqipërinë nga nismat e ndërmarra prej Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”.
“Njerëzit në nevojë nuk kanë vetëm nevojë për shtëpi apo ushqime. Por, kanë nevojë edhe që dikush t’i afrohet, t’i përqafojë dhe t’i thotë që nuk jeni vetëm. Dhe që ju mund t’ia dilni. Ajo që ka bashkuar Eminën e shumë të tjerë që jeni këtu në sallë, ka qenë vetëm dëshira e mirë për mos t’i parë këto njerëz kështu. Dhe për t’i dhënë një mundësi që të jetojnë ndryshe.”
Cunmulaj e cila i është bashkuar Fondacionit “Fundjavë Ndryshe” si anëtare e bordit prej vitit 2017, ka sjellë ndryshim në jetën e shumë familjeve në nevojë. Prej dy muajsh, ajo është Zëvendës Presidente e Fondacionit.
“Çdo herë që shkoj vizitoj një familje tjetër kam një emocion të ri. Populli im ka nevojë për mua, ka nevojë për ju më shumë se ndoshta edhe më parë. Sepse sot ka ardhur një kohë që luksi është diçka që të gjithë e duam. Por, ajo që është më elementare, buka për të ngrënë për disa njerëz është edhe më shumë nevojë.
Nuk është e thënë që duhet të ndërtoni një shtëpi, të gjithë duhet t’ia nisim diku. Kështu bashkohemi të gjithë. Ndoshta ju i sillni bukën e unë shtëpinë. Ndoshta ju i sillni ujin dhe Arbëri i sjell shtëpinë. Kjo është kryesorja që t’ia nisim diku.”
Pyetjet e vullnetarëve të ftuar në takim ishin mbi suksesin e fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, vështirësitë. Eksperiencat personale dhe përse të gjithë duhet të bëjnë bamirësi.
Comments
Post a Comment