Ajo sakrifikoi shumë, 18 vjet të jetës së saj për një mashkull që më shumë se buzëqeshje dhe përpjekje i dhuronte dhunë. Ajo që do t’ju rrëfejmë sot është historia e M-së, një zonje tashmë në moshë, që i ka shpëtuar dhunës së të shoqit, por që sigurisht nuk dëshiron që ta bashkëngjisë emrin e saj në një histori të trishtë që tashmë e ka shkëputur nga vetja. 18 vjet nga jeta nuk janë pak dhe akoma më e vështirë është për t’i shkëputur dhe për t’i fshirë nga vetja. Por, ajo ka mundur. Është historia e një gruaje, e cila arriti të mblidhte forcat për të ecur përpara falë ndihmës që i dhanë psikologet në Strehëzën për Gra dhe Vajza në Tiranë.
Pikërisht, aty dëgjon histori të jashtëzakonshme, që duket se i përkasin skenave të një filmi. Dhe rastet që paraqiten në këtë qendër janë nga më të shumtat. Mundësitë për të ndihmuar të gjithë numrin e madh të grave dhe vajzave që paraqiten në këtë strehëz në Tiranë janë të pakta, ama stafi është gjithnjë i gatshëm t’i mirëpresë. Historitë aty ishin nga më të ndryshmet. Vite të tëra jete të hedhura në erë për shkak të dhunës. E ajo që shpresoj të sjellim në këtë intervistë është ndërgjegjësimi jo vetëm këtë javë, por përgjatë gjithë vitit për të luftuar dhunën në familje dhe sidomos të vajzave dhe grave, të cilat jetojnë ende në zonat rurale, në një shoqëri patriarkale dhe maskiliste.
M., për sa kohë gjatë jetës tënde je dhunuar?
Janë 18 vjet të pakthyeshëm të jetës sime. Përgjatë gjithë këtyre viteve kam përjetuar dhunë nga bashkëshorti im.
Për 18 vjet radhazi, nuk ke bërë asnjë përpjekje për të ndryshuar situatën?
Mendoja se gjërat do të ndryshonin, shpresoja për një jetë më të mirë. M’u shua shpresa, por ia dola ta braktisja dhunën. Një arsye shumë e madhe është sepse në anët tona është turp që gruaja të ndajë burrin. Në zonën tonë, unë njihja vetëm një grua që e kishte lënë burrin dhe ajo nuk jeton më, sepse as familja nuk e mbështeti. Kisha frikë se do të përfundoja si ajo.
Je martuar me mblesëri?
Jo. Unë u linda dhe u rrita në një familje që më dha dashuri dhe më edukoi me respektin për të tjerët. Kam vetëm një motër dhe nënën, e cila është e moshuar tani, por në deri në gjimnaz kisha edhe babanë. Atë kohë nuk më la babai të bëja shkollën e mesme dhe u fejova me mblesëri. Ma gjetën burrin. Gjashtë muaj më vonë u martova, pa dashuri. Unë doja të bëja shkollën. Shumë herë e kam menduar se si do të ishte jeta jonë po të kishim pasur një vëlla, sepse shtëpia mbeti pa kryefamiljar dhe ne mbetëm vetëm 3 femra pa baba.
Para dasmës, nuk dije asgjë se çfarë të priste? Më pas si shkoi dasma?
Dasma nga ana jonë shkoi shumë mirë, ndërsa nga ana e tij erdhi vetëm një kushëri. Premtimet dhe ato që dija për to ishin më të mira se sa përfundimi. Premtimet që i kishte dhënë familjes sime dhe mua ishin për një shtëpi dykatëshe ku ne do të jetonim qetë, por përfundimi ishte ndryshe. Kur kam shkuar aty, kam fjetur në një sustë dhe vetëm me çarçafët që kisha marrë me vete. Më vonë edhe jorganin e mora nga shtëpia.
Kur filloi të tensionohej situata?
Që në vitet e para të martesës, ai nuk vinte në shtëpi për ditë të tëra. Unë e dija kur nuk duhet ta prisja, pasi ai fillimisht më mbyllte brenda me çelës dhe nuk më lejonte të dilja, as për të shkuar në shtëpi apo për të parë mamanë.
Pse nuk u ktheve që atëherë në shtëpi?
Më vinte turp. Si të kthehesha unë në shtëpi dhe t’u bëhesha barrë prindërve? Madje as nuk u thoja që kur vinte vjehrra situata bëhej më e vështirë. Ajo e shtynte në sherr dhe ai më rrihte në sy të saj. Madje një herë më kanë rrahur të dy bashkë. E mbaj mend që jam shtrirë dhe nuk lëviza dy ditë. Kur u ngrita të gatuaja, më rrahu sërish sepse nuk kisha gatuar një ditë më parë.
Si ka mundësi që shpresoje për më mirë në këto kushte dhune?
Sepse kishim biseduar për të ardhur në Tiranë. Mendoja se të jetuarit këtu do të na ndryshonte edhe jetën, por jo. Ne erdhëm në Tiranë dhe ai nuk e përballoi dot. U fut në burg. Isha e vetme me fëmijët dhe nisa të punoja me shumë vështirësi. Por, të paktën isha më e qetë. Pikërisht prej asaj kohe e mora guximin për t’u larguar nga shtëpia kur ai doli nga burgu. Unë mund t’ia dilja. Duhet të rrezikoja, sepse nuk kisha më asgjë për të humbur. Veçse po të qëndroja me të pas burgut, kur ai ishte bërë edhe më i dhunshëm, mund të humbisja jetën. Dola një ditë nga shtëpia për të mos u kthyer. Gjeta Strehëzën për Gra dhe Vajza dhe tani jam e qetë.
Sa e qetë jeni tani?
Kam një punë të thjeshtë, kam fëmijët dhe jam e divorcuar. Ai nuk më ka kërkuar më dhe ndoshta këtë priste, ta lija unë, por unë e durova plot 18 vjet. Tani jetoj e qetë në Tiranë. Psikologet dhe vajzat në Strehëz më kanë ndihmuar shumë, gjatë procesit të divorcit e derisa gjeta punë dhe u stabilizova. Por, ama mua më kanë ikur 18 vjet nga jeta. Humba shkollën, gjimnazin për ata që më dhunonte dhe në kokë nuk kam veçse kujtime të tmerrshme dhune.
Comments
Post a Comment