Interviste/Enxhi Deda-Roli i Psikologut/es ne Shkolle


Enxhi Deda, MSc.
Psikologe Klinike
Psikologe, Shkolla Teknike-Elektrike "Gjergj Canco"
Shkolla Profesionale Teknologji Informatike dhe Komunikimi
"Hermann Gmeiner"

Enxhi Deda na ka njohur me rolin e Psikologut/es ne shkolle, ne nje interviste eksluzive per ditari-al.blogspot.com ajo ka bere dhe nje thirrje kundrejt nxenesve, prinderve, mesuesve dhe sigurisht kundrejt psikologëve

1. Cili është funksioni i psikologut në shkollë?
Detyra kryesore e një psikologu në shkollë është këshillimi psikologjik për çdo nxënës që ka nevojë. Për ta realizuar sa më mirë, në fillim duhet të bëhen konsulta me mësues dhe prindër në mënyrë që të pikasen cilët janë ata nxënës që kanë më shumë nevojë për këshillim. Më pas bëhet vlerësimi  nëpërmjet diskutimeve, testeve, pyetësorëve dhe ndërhyrja individuale apo edhe në grup për rastin. Psikologu është gjatë gjithë kohës në dispozicion të nxënësve për çdo problem apo vështirësi.

2. Si rezulton ndërhyrja e psikologut në jetën e një nxënësi?
Për një nxënës që ka nevojë për këshillim psikologjik, ndërhyrja bëhet zinxhir, domethënë me të gjithë komponentët kryesorë në jetën e atij nxënësi. Fillimisht në marrdhënien që ai ka me familjen, me prindërit, motra, vëllezer dhe pjestarë të tjerë që ndikojnë drejpërdrejt në sjelljet e tij. Shoqëria është një tjetër hallkë e rëndësishme e zinxhirit, pasi zë një pjesë të madhe të ditës. Më pas është shkolla, mësuesit dhe nxënësit e tjerë që janë shkaktarë të tjerë potencial të sjelljeve të nxënësit. Pasi bëhet vlerësimi se cili është burimi kryesor i problemeve të nxënësit, krijohet edhe një ndërhyrje specifike. Kjo ndërhyrje zgjat në kohë në mënyrë që të gjitha marrdhëniet në jetën e një nxënësi të jenë të shëndetshme.

3. A janë të shumtë nxënësit që i shprehin problemet e tyre te psikologu në shkollë?
Unë mëndoj që jo aq shumë sa janë në realitet. Për psikologun është akoma paragjykimi që merret vetëm me raste të rënda psikologjike, dhe shumica kanë turp të shkojnë pikërisht sepse po i pa dikush, do të tregohet me gisht. Por gjithsesi, kam vënë re që me kalimin e viteve nxënësit janë edukuar me praninë e psikologut në shkollë dhe nuk e kanë më me aq shume droje ti trokasin ne derë kur kanë nevojë.

4. Cilat janë problematikat kryesore që kanë nxënënsit?
Varet nga mosha. Në shkollën time janë nxënës të moshës 15-19 vjeç dhe kjo është periudha që përfshin adoleshencën. Dhe shumica kanë problemet tipike të kësaj moshe që përfshijnë problemet në familje, shoqëri dhe abuzime të vogla.
5. Ka shumë nxënës që i druhen këshillimit me psikologun ngaqë mund të fyhen nga shokët. Si mund t’iu vijmë në ndihmë këtyre rasteve?
Siç e përmenda pak më sipër, ky është një ndër problemet kryesore që haset në shkolla, meqënëse është ambjent i mbyllur dhe zyra e psikologut është në një pozicion që mund të shihet nga të gjithë, pra kush hyri dhe kush doli. Por gjithsesi, psikologu çdo muaj ka tema të ndryshme sociale që i realizon nëpër klasa dhe aty çdo nxënës që ka nevojë, mund të përfitojë prej tyre. Gjithashtu, nxënësi mund t’ia komunikojë mësuesit kujdestar nëqoftëse do një takim me psikologun pa u marr vesh nga nxënësit e tjerë, dhe në këtë rast mund të realizohet një takim ndryshe.

6. Nga vitet e tua të punës, ke hasur ndonjëherë vështirësi me ndonjë rast?
Çdo rast, sado i vogël, ka vështirësitë e veta. Mua më është dashur të qetësojë edhe gjaknxehtësira, të shkoj edhe në rajone policie për të qartësuar disa problematika, të shkoj në spitalin psikiatrik për të marr informacione për nxënës të ndryshëm. Por për mua, rastet më të vështira janë ato me nxënës që kanë aftësi ndryshe, psh me nxënës me autizëm ose me probleme mjekësore.

7. Roli i psikologut në shkolla mund ta themi me siguri të plotë që nuk vlerësohet aq sa duhet. Si mendon, a duhet të krijohet një modul nëpër shkolla ku 1 ose 2 herë në javë psikologu të bëj bashkëbisedim me nxënësit nëpër klasa për problemet që i prekin ata?
Psikologu i shkollës ka një plan vjetor dhe sipas këtij plani, çdo muaj realizohen 2-3 tema të ndryshme sociale siç janë adoleshenca, barazia gjinore, dhuna etj. Psikologu krijon një plan të caktuar që çdo klasë të përfitojë prej këtyre diskutimeve. Në varësi të temës, mund të bëhen edhe aktivitete brenda ose jashtë shkollës.

8. Cilat janë hapësirat që i duhen dhënë sot fëmijëve, në lidhje me rrjetet sociale?

Me kalimin e viteve, teknologjia ka avacuar dhe bashkë me të edhe përdorimi i pashmangshëm i rrjeteve sociale. Kjo gjë ka aspektet pozitive dhe negative. Në aspektet pozitive mund të përmendim informacionin e madh që përfitohet lehtë, shpejt dhe lirë me një të klikuar. Shumë fëmijë kanë përmirësuar aftësitë e tyre në gjuhë të huaja dhe kanë mundësi të mbajnë kontakte me njerëz që janë larg. Por ka edhe anën negative. Shumë rrjete sociale janë të pakontrolluara dhe shumë fëmijë mund të bien pre e keqdashësve siç ishtë rasti i “Balenës Blu” ku shumë fëmijë humbën jetën si pasojë e saj. Fatmirësisht, ekziston edhe kontrolli prindëror prandaj çdo prind mund të zgjedhë se çfarë mund dhe nuk mundet të shohë fëmija i tij në varësi të moshës që ka. Duhet të ketë orare të kufizuara dhe programe të përzgjedhura.

9. Një ndër fenomenet që haset më shumë nëpër shkolla është ai i bullizmit. Çfarë mund të thoni për nxënësit që bullojnë njëri-tjetrin?

Bullizmi është një ndër fenomenet që ka ekzistuar gjithmonë dhe që është vështirë të shmanget. Shpesh herë behën takime në grup me nxënës ku përmenden edhe shkaqet edhe pasojat ku këto të fundit janë më të rëndat. Prandaj puna kryesore duhet te bëhet me ata që janë viktima. Për të gjitha problemet, parandalimi është parësor, por në rastin që bullizmi është kryer, viktima është ai që e ndjen më shumë dhe që ka nevojë më shumë për ndihmë. Edukimi për bullizmin bëhet pothuajse çdo ditë nga mësuesit që janë në kontakt më të drejtpërdejt me këto raste, nga psikologu sa herë është mundësia por duhet të bëhet edhe në shtëpi, nga prindërit pasi aty është vendi i parë nga fitohen sjelljet kryesore.

10. Cila është thirrja që ju i drejtoni nxënësve, prindërve dhe sigurisht mësuesve apo psikologëve nëpër shkolla apo kudo qofshin?
Çdo sinjal apo veprim që bën nëxënësi është për t’u analizuar. Shumë nxënës nuk e tregojnë me fjalë shqetësimin që kanë, prandaj duhet të shihet sjellja dhe marrdhënia që ka me çdo njeri që ka përreth.



Comments