Sociale-Dita e Rinisë/ Studentët e ’90-ës Dekorojnë “Fundjavë Ndryshe”


29 vite më parë, një grup Studentësh dhe Pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, ndryshuan rrënjësisht të ardhmen e Shqipërisë. Nëpërmjet protestave paqësore u arrit rënia e komunizmit dhe lindja e Demokracisë. E prej atëherë, 8 Dhjetori, shënon edhe Ditën Kombëtare të Rinisë.
E në një ditë kaq të veçantë, Lëvizja Studentore Shqiptare ’90 -’91 organizoi një ceremoni nderimi për një grupim të rinjsh të sotëm. Studentët që afro tre dekada më parë bënë histori, vlerësuan të rinjtë që sot me anë të vullnetarizmit dhe solidaritetit po i japin një impakt të madh shoqërisë sonë.


Kryetar i LSSH-së, Ilir Dizdari dekoroi me titullin “Pishtar i Humanizmit”, Drejtuesin e Fondacionit “Fundjavë Ndryshe” Arbër Hajdarin. Si dhe gjithë ato vajza e djem të rinj, të cilët në katër vite janë pjesë e Fondacionit. Një shembull se solidariteti mes Shqiptarëve nuk është i harruar. Përkundrazi janë pikërisht të rinjtë, ata që e mbajnë ende gjallë.
Në ceremoninë e mbajtur në ambientet e Qendrës së Solidaritetit ishin të ftuar përfaqësues të Fesë, Intelektualë dhe Aktivistë e Drejtues të “Fundjavë Ndryshe”.
Ndër të tjera Fondacioni “Fundjavë Ndryshe” u përgëzua dhe për punën e madhe që janë duke bërë për të prekurit nga tërmeti. Të cilët me anë të fushatës së realizuar, me mijëra Shqiptarë janë bërë pjesë dhe kanë kontribuar të ardhura për gjithë të prekurit. Deri më tani, Fondacioni ka mbledhur 2 milion dollarë, një shumë e cila do të shkojë për rindërtimin dhe restaurimin e shtëpive të shkatërruara pas mëngjesit të 26 Nëntorit.

Comments