“Qendra e Solidaritetit Fundjavë Ndryshe” iu gjet në krahë të banorëve të prekur nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit, ku dëmet ishin kolosale. Një sensibilizim në masë nga ana vullnetarëve, dha rezultatet më efikase në këto ditë tmerri që po përjetojnë banorët në zonat e rriskuara.
Shumë qytetarë janë strehuar në “Qendrën e Solidaritetit të Fundjavë Ndryshe”, duke gjetur ngrohtësinë në këto ditë të ftohta dimri. Vizitori i radhës ishte akademiku Moikom Zeqo, ku u përball me të rinjtë, të cilët po japin kontributin e tyre ndaj familjeve të cilët kanë mbetur në qiell të hapur. I surprizuar nga kjo përkrahje masive, ish-deputeti, akademiku, shkrimtari, publicisti e arkeologu Moikom Zeqo, nuk hezoi të përgëzonte jo vetëm rininë për këtë frymë solidare, por të gjithë të cilët kanë dhënë ndihmën e tyre.
“Një Fundjavë Ndryshe” mua më duket një titull shumë i gjetur. Por unë e zgjeroj koretacionin e kësaj shprehje. Unë do të thoja jo “Një Fundjavë Ndryshe”, por një Shqipëri ndryshe. Domethënë e lidh me Shqipërinë. “Fundjavë Ndryshe” do të thotë që ne në kohën e lirë që quhet fundjavë, mund të bëjnë një gjë që është e rëndësishme.
Por ajo që është e rëndësishme dhe që shumëfishohet në mendjen tonë, në shpirtin tonë, në zemrat tona është ideja për të bërë një Shqipëri më të mirë. Një Shqipëri ndryshe. Unë kështu do ta konceptoja. Vetëm rinia mund të ndalojë një katastrofë, që është me e keqe se katastrofa natyrore. Katastrofa natyrore prishi 100 shtëpi. Për fat të keq ka patur edhe të vdekur. Katastrofa sociale do të thotë që zhduket atdheu shqiptar. Nëse ne e shpopullojmë këtë vend, sidomos nga rinia, atëherë s’do ketë Shqipëri. Atëherë ç’duhet bërë? Është gjenerata juaj që duhet të mbajë Shqipërinë. Ju i keni te gjitha premisat, të gjitha atributet dhe kapacitet mendore, por edhe fizike”, u shpreh Moikom Zeqo.
Vullnetarët e “Fundjavë Ndryshe” ndoshta nuk mund t’ua zgjidhin hallet banorëve të prekur, por ama u’a kanë lehtësuar disi dhimbjen, duke u kujtuar se ata asnjëherë nuk janë vetëm! Këta të rinj janë e ardhmja dhe shpresa jonë, për një të nesërme më të mirë.
“Misioni që keni juaj është i shpresës, jo vetëm e javës ndryshe, por edhe e historisë ndryshe. Juve bravo ju qoftë në këtë që bëni. Nuk është problemi se pa këtë ndihmë bota s’do rrutullohej, por pa këtë ndihmë ne do ishin një komb i pa emancipuar. Juve emanciponi kombin. Nisma të tilla tregojnë një ndërgjegje shumë herë më lartë se se politikanët, pa interes të vullnetarizmit. Ku tek e fundit e kanë edhe detyrë shtetërore”, rrëfeu më tej z. Zeqo.
49 të vdekur e dhjetëra të plagosur është aktualisht bilanci tronditës i tërmetit, që la gjurmë tek shqiptarët. Ndonëse e marta e zezë shkatërroi shtëpitë e dhjetëra qytetarëve, ajo ditë i bëri më të fortë e më të bashkuar se kurrë. Ndërtoi solidaritetin mes shqiptarëve anembanë trojeve ku ndodheshin. Kjo u reflektua edhe nga pjesëmarrja në masë e çdo grupmoshe, duke ju bashkuar nismës së “Fundjavë Ndryshe”, e dhënë kontributin e tyre.
Comments
Post a Comment