Ka kaluar një muaj prej kur Shqipëria u prek nga tërmeti, i cili shkaktoi 51 viktima dhe shumë dëme materiale. Dhe sot ende me qindra familje të prekura vazhdojnë të jenë të pasigurta për të ardhmen e tyre. Pa shtëpi, madje disa prej tyre vazhdojnë të jenë ende të strehuara nëpër çadra. Prej ku presin çdo lloj ndihmë, qoftë kjo me ushqime, apo materiale si dyshek apo batanije.
Prej ditës së parë, Fondacioni “Fundjavë Ndryshe” ka qenë pranë tyre, të cilët me anë të ndihmave të mbledhura nga gjithë shqiptarët, janë duke i dhënë shpresë gjithë të prekurve. Por, solidarizimi i gjerë nuk vjen vetëm nga bashkëkombësit tanë. Drejtuesi i Fondacionit, Arbër Hajdari ka bërë me dije se kompania më e madhe botërore Amazon ka bashkëpunuar me “Fundjavë Ndryshe”. Duke sjellë në Shqipëri ndihma për familjet që tërmeti i ka rrënuar.
“Kompania Amazon sjell ndihma për të prekurit nga tërmeti, në bashkëpunim me Fundjavë Ndryshe! 5 kamionët e parë me krevate, çadra, batanije mbërritën. Vlera e kontributit fillestar të Amazon për ndihmat që kanë sjellë është 240.000 dollarë”, shprehet Hajdari. I cili bën me dije se pritet që kompania të japë edhe kontribut monetar për rindërtimin e banesave. Por, më parë duhet që qeveria të shpallë dëmin që është shkaktuar. Ndërsa shton se bashkëpunimi i “Fundjavë Ndryshe” me Amazon do të vazhdojë, për të ndihmuar gjithë familjet.
Kamionët kanë arritur pranë Qendrës së Solidaritetit, prej ku do të bëhet edhe shpërndarja. Ka qenë vetë kompania Amazon e cila fill pas tërmetit, ka kontaktuar me fondacionin “Fundjavë Ndryshe”, për të ofruar ndihmën e tyre.
Comments
Post a Comment